Certifikatat online nëpërmjet postës – Reduktohen kostot e tyre nga 50 në 35 lekë
Nisma e qeverisë është që një numër i madh shërbimesh të ofrohen online nëpërmjet portalit “e-Albania. Për të gjithë qytetarë që nuk kanë mundësi të aksesojnë portalin do të jetë posta shqiptare që do ti ofrojë shërbimet e portalit si në zonat rurale ashtu edhe ato urbane.
Sipas drejtorit të Postës Shqiptare, në një intervistë për “RTV SCAN” këto shërbime do të ofrohen me kosto minimale për qytetarët. Nëse i referohemi tarifës së një certifikate të printuar ajo është 50 lekë por nëse kjo certifikatë do të merret nga portal nëpërmjet postës kosto e saj do të reduktohet në 35 lekë.
Pak kohë më parë kryeministri ka kërkuar që të mos ketë më asnjë printim nga gjendja civile për certifikata por ato të ofrohen online. Për të gjithë ata punonjës që do të printojnë certifikata duke bërë që qytetarët të rrinë në radhë por në të njëjtën kohë të rrisin edhe shpenzimet e shtetit, do të aplikohen gjoba fillimisht për punonjësin e më pas për gjendjen civile.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.