Çështja ‘Huawei’ – KE: Europa duhet të jetë “e shqetësuar”
Europa duhet të jetë ‘e shqetësuar’ për Huawei-n dhe kompanitë e tjera kineze, duke pasur parasysh bashkëpunimin e detyrueshëm që duhet të mbajnë me shërbimet kineze të inteligjencës.
Komentet kanë ardhur nga zëvendëspresidenti i Komisionit Europian për Tregun Unik Dixhital, Andrus Ansip. Ndërkohë, pas kësaj deklarate ka reaguar edhe kompania duke u shprehur se ishte ‘e habitur dhe e zhgënjyer’ nga komentet e Ansip.
“Ne kategorikisht hedhim poshtë çdo pretendim që ne mund të përbëjmë një kërcënim për sigurinë. Ne jemi të hapur për një dialog me zëvendëspresidentin Andrus Ansip për të adresuar këto keqkuptime dhe synojmë të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të gjatë me Komisionin Europian si një kompani private në pronësi të punonjësve”, tha Huawei në një deklaratë.
Komentet e Ansip erdhën pas lajmit se Kandaja kishte arrestuar nënpresidenten e Huawei, Meng Wanzhou, njëkohësisht vajza e themeluesit të kompanisë. Autoritete amerikane kërkuan arrestimin duke argumentuar se kompania mund të ketë shkelur sanksionet e Shteteve të Bashkuara të vendosura kundër Iranit. Ndërkohë, Ansip deklaroi se nuk kishte dijeni për detajet e arrestimit.
Paraburgimi i saj vinte në rrezik armëpushimin ‘e brishtë’ të rënë dakord kohët e fundit midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping.
Huawei është një nga kampionët e teknologjisë në Kinë dhe një nga kompanitë më të njohura kineze jashtë vendit. Ajo është kompania kryesore e telefonisë celulare në botë dhe smartphone-t e saj janë të renditen në vend të dytë pas Samsung në aspektin e shitjeve globale.
Ndërkohë, Australia, Zelanda e Re dhe SHBA kanë vendosur të ndalojnë Huawei si ofrues për rrjetin 5G.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.