Çfarë është një “investitor engjëll”?! Disa mënyra si mund të krijojmë kontakte me ata
Përkufizimi i saktë i këtij termi, jo shumë të njohur, do të ishte një individ që investon paratë e veta në një kompani sipërmarrëse. Fillimisht ky term është përdorur për të përshkruar investitorët në shfaqjet e Broadway, ndërsa tani “investitori engjëll” i referohet kujtdo që investon paratë e tij në një kompani sipërmarrëse (ndryshe nga kapitalistët e ndërmarrjeve institucionale, të cilët investojnë paratë e njerëzve të tjerë).
Investimi ‘engjëll’ është rritur në vitet e fundit ndërsa një numër në rritje i individëve kërkojnë kthim më të mirë të parave të tyre sesa mund të marrin nga investimet tradicionale. Përkundër besimit popullor, shumica e engjëjve nuk janë milionerë. Në mënyrë tipike, ata fitojnë nga 60,000 deri në 100,000 dollarë në vit.
Engjëjt kategorizohen në dy lloje: ata që i dini se janë të tillë dhe ata që nuk i dini. Ata mund të përfshijnë profesionistë të tillë si mjekë dhe avokatë; bashkëpunëtorë të biznesit si drejtues, furnitorë dhe klientë; dhe madje edhe sipërmarrës të tjerë. Për dallim nga kapitalistët e sipërmarrjes dhe bankierët, shumë engjëj nuk motivohen vetëm nga fitimi. Veçanërisht nëse engjëlli juaj është një sipërmarrës aktual ose ish sipërmarrës, ai ose ajo mund të jetë i motivuar aq shumë nga kënaqësia për të ndihmuar një biznes të ri të ketë sukses si nga paratë që ai dëshiron të fitojë. Engjëjt kanë më shumë gjasa sesa kapitalistët e sipërmarrjes të binden nga përpjekja e një sipërmarrësi për të pasur sukses, këmbëngulje dhe disiplinë mendore.
Investitorët e engjëjve ndryshojnë shumë, por ata zakonisht janë të gatshëm të pranojnë çdo rrezik të mundshëm dhe kërkojnë pak ose aspak kontroll në këmbim të mundësisë për të zotëruar një pjesë të një biznesi që mund të jetë i vlefshëm një ditë.
Por cilët mund të përfshihen në kategorinë e investitorëve engjëj?!
Përgjigja është; profesionistë nga më të ndryshmit!
Këtu përfshihen profesionistë të shërbimeve që ju përdorni tani, si mjekë, dentistë, avokatë, llogaritarë etj. Ju i njihni këta njerëz, kështu që një takim duhet të jetë i thjeshtë për t’u rregulluar. Profesionistët zakonisht kanë të ardhura në dispozicion për të investuar në projekte të jashtme, dhe nëse nuk janë të interesuar, ata mund të jenë në gjendje të rekomandojnë një koleg që është.
Dhe së fundmi, pyetja që do të bënim të gjithë do të ishte: ‘’Si mund të kemi një kontakt sa më të shpejtë me këta investitorë?’’
Kontakti me investitorët engjëj mund të realizohet nëpërmjet disa formave të ndryshme, ku ndër to mund të përmendim, reklamimin. Duhet t’i bëni një reklamim sa më të mirë biznesit tuaj dhe tërheqës për këta investitorë. Reklamimi i klasifikuar është i lirë, i thjeshtë, i shpejtë dhe efektiv.
Gjithashtu krijoni kontakte me agjentët e tregut, pasi janë pikërisht ata që njohin njerëz me para që interesohen që të blejnë biznese. Por në rastin kur ju nuk jeni i interesuar të shisni biznesin tuaj, mund të bini dakord për të shitur vetëm një pjesë të tij.
Engjëjt kanë tendencë të gjejnë mundësi më të mira për të investuar përmes miqve të tyre. Ndaj përpiquni që të gjeni takime të mundshme me ta, nëpërmjet internetit apo çfarëdolloj forme tjetër, në mundësi që të keni mundësinë e një kapitali për investim.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.