Çfarë ishte koncesioni francez i 12 urave i vitit 1923 dhe pse u kushtëzua nga “Fondi i Korçës”?
Në verën e vitit 1923, senatori francez Justin Godart vizitoi Shqipërinë i shoqëruar nga një përfaqësues i një kompanie franceze e specializuar për ndërtimin e urave. Sejfi Vllamasi, në kujtimet e tij, shkruan se gjatë kësaj vizite u kërkua nga përfaqësuesi i kompanisë franceze që të marrë të drejtën e ndërtimit të urave kryesore të Shqipërisë, çka ishte një domosdoshmëri për kohën për faktin se vendi kishte probleme të theksuara të komunikacionit.
Vllamasi në atë periudhë ishte ministër i Punëve Botore. Kompanisë franceze Five-Lille (kompani shumë e njohur edhe ndërkombëtarisht) do t’i jepej kjo e drejtë.
“Urat kryesore do të goditeshin prej hekuri, duke filluar nga Ura e Shijakut, për ta lidhur botën e jashtme nëpërmjet Durrësit me kryeqytetin e Shqipërisë. Por ministria e Punëve Botore, pasi në buxhetin e saj nuk dispononte fonde të jashtëzakonshme e të mjaftueshme, s’mund të fillonte menjëherë të gjitha urat. Qeveria ia dha këtë të drejtë shoqërisë franceze, pasi ajo ka qenë një shoqëri e specializuar për ura, me famë botërore. Pasi u plotësuan studimet nga inxhinierët gjermanë që dispononte ministria si teknikë, goditja (ndërtimi) i urës iu dha asaj shoqërie për 200 mijë franga të cilat do të paguheshin nga buxheti ordinar i ministrisë dhe shoqëria në një kohë fare të shkurtër dorëzoi një urë të fortë që plotësonte më së miri nevojat e vendit. Shoqëria do të godiste (ndërtonte) edhe urat e tjera në bazë të një plani, me një ritëm që do t’i përshtatej mundësive e mjeteve financiare të shoqërisë” shkruan Vllamasi në kujtimet e tij.
Kontrata
Në atë periudhë Shqipëria përballej me një serë problematikash në aspektin e fondeve për ndërtimin e rrugëve dhe urave. Krahas financave, problematikë tjetër ishin jo vetëm vështirësitë teknike apo mungesa e specialistëve të kualifikuar por edhe mungesa e lëndës së parë; hekurit dhe çimentos.
Në vitin 1923 qeveria shqiptare do të shpallte tenderin për ndërtimin e urave ku angazhohej se do të paguante 1 milion franga ari në vit, duke vendosur si garanci hyrjet doganore të shfrytëzimit të pyjeve e minierave.
Në bazë të një marrëveshje të përkohshme të datës 23 mars 1923 e cila u shndërrua në marrëveshje përfundimtare në shtator po të atij viti, qeveria shqiptare i dha shoqërisë Five-Lille koncesionin e ndërtimit të 12 urave të mëdha automobilistike mbi lumenjtë kryesorë të Shqipërisë.
Në marrëveshje cilësoheshin për t’u ndërtuar këto ura:
Ura e Shijakut mbi lumen Erzen,
Ura e Leklit
Ura e Dragotit
Ura e Rrogozhinës mbi lumin Shkumbin
Ura e Kuçit mbi lumin Seman
Ura e Mifolit mbi Vjosë
Ura e Mbrostarit mbi lumen Seman
Urat të tjera do të përcaktoheshin më vonë.
Në studimin për kapitalin e huaj në Shqipërinë e atyre viteve, Veniamin Toçi shkruan se “gjatësia e përgjithshme e urave që do të ndërtoheshin ishte 1560 metra. Ndërtimi i tyre do të bëhej me beton e hekur”.
Në bazë të marrëveshjes, shteti shqiptar detyrohej t’i paguante shoqërisë sipërmarrëse 25 % mbi shpenzimet e përgjithshme të ndërtimit dhe një kuotë amortizimi prej 8 për qind. Në të njëjtën kohë ai detyrohej të depozitonte në një bankë të huaj 200 mijë franga ari si garanci për të mbuluar shumën e parë të pagesave që do t’i përkisnin shoqërisë.
Kushti i “Fondit të Korçës”
Shoqëria filloi zbatimin e kontratës me ndërtimin e Urës së Shijakut e më pas ndërmori punimet në urën e Leklit në Tepelenë.
“Në fillim u duk se punët po ecnin mirë por shpejt gjendja ndryshoi sidomos për shkak të vështirësive që haste qeveria shqiptare në likujdimin e kësteve. Nga fundi i vitit 1924 marrëdhëniet u acaruan në atë masa sa shoqëria kërcënoi autoritete shqiptare se do t’i ndërpriste punimet e filluara në qoftë se ato nuk do të financoheshin në mënyrë të rregullt. Qeveria e Fan Nolit u përpoq ta qetësonte gjendjen dhe të lehtësonte barrëne e financave shqiptare duke i propozuar shoqërisë një formulë përzgjidhjen e çështjes.
Kështu në një letër të datës 7 dhjetor 1924 drejtuar shoqërisë Five-Lille në Shqipëri, asaj iu komunikua se zgjidhja e çështjes së financimit të punimeve do të ishte më e lehtë në qoftë se qeveria franceze do t’i kthente “fondin e Korçës” me një shumë prej 1 milion e 200 mijë franga franceze. Në të njëjtën kohë shoqërisë sipërmarrëse iu kërkua që të ndërmjetësonte pranë autoriteteve qeveritare franceze për vjeljen e këtij fondi. Përndryshe, vazhdonte komunikimi shqiptar, ndërtimi i dy urave të Tepelenës, Leklit dhe Dragotit të bëhej me konstruksione më të lehta se ura e Shijakut dhe për aq sa mjaftonin fondet.
Përveç kësaj shoqërisë i bëhej i ditur pezullimi i kontratës për punimet të cilat nuk ishin fillluar. Maxim Fauche, përfaqësuesi i shoqërisë sipërmarrëse jo vetëm nuk i dha rrugë korrespondencës shqiptare por e ktheu atë mbrapsht duke mos e pranuar formulën e propozuar për mënyrën e financimit të punimeve për ndërtimin e urave.
Pas këtij incidenti, autoritetet shqiptare të punëve botore iu drejtuan drejtëpërdrejtë qendrës së shoqërisë duke i kumtuar asaj shprehimisht se përderisa përfaqësuesi i saj nuk kishte pranuar të merrte në dorëzim korrespondencën me sugjerimet përkatëse shoqëria Five- Lille nuk ishte më e përfaqësuar në Shqipëri. në të njëjtën kohë qendrës së shoqërisë iu kërkua të jepte porositë e nevojshme ndaj çështjes” shkruan V.Toçi në botimin e tij për kapitalin e huaj në Shqipëri në vitet 1921-25.
“Fondi i Korçës” nënkuptonte fondet financiare që ishin marrë nga financat e krahinës autonome të Korçës (gjatë Luftës së Parë Botërore) nga ushtria franceze që ishte prezente në atë rajon të vendit. Ndryshimi i pushtetit politik në Shqipëri do të sillte mbylljen e polemikave për këtë çështje.
Kreshnik KUÇAJ/Portali ekonomik SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.