Ç’po blejnë investitorët kinezë të Europës?
Vlera e pjesëmarrjes aksionare të investitorëve kinezë në tregun europian të aksioneve është e barabartë me 54 miliard euro, sipas përllogaritjeve që ka bërë “Il Sole 24Ore”, që i referohet të dhënave nga “S&P Market Intelligence”. Në 5 vite, vlera e investimeve në bursat europiane, e shoqërive me seli në Republikën Popullore është dyfishuar tashmë, duke qenë se në 2012 rezultonte në një vlerë 24,4 miliard euro.
Kjo rritje është pjesërisht si rezultat i rritjes së çmimeve të aksioneve në kontinentin e vjetër( indeksi Stoxx 600 është rritur me 51% që nga 2012) dhe si rezultat i një interesi më të madh të investitorëve kinezë. Në raport me kapitalizimin total të kompanive europiane (13359 miliard euro) 55 miliard janë 0,41%. Për 5 vite kuota ishte në 0,3%.
Grupi “Hna”, nga dje zyrtarisht është aksioneri i parë i “Deutsche Bank” me një pjesëmarrje prej 10% (thuajse 3,5 miliard euro si ekuivalent), dhe është padiskutim subjekti më aktiv duke qenë se nga fillimi i vitit rezulton se ka bërë blerje jashtë në vlerë 5 miliard euro. Veç “Deutsche Bank” konglomerati i kryesuar nga manjati Chang Feng ka rritur në 16,79% prezencën në zviceranen “Dufry” (një pjesëmarrje që vlen thuajse 1,5 miliard euro).
Duke mbledhur këto investime në kuotat e rritura vitin e kaluar në zinxhirin e hoteleve “Nh” (491 milion), “Rezidor” (299), në tour operatorin francez “Pierre & Vacances” (41,9) dhe në shoqërinë zvicerane të shërbimeve ajrore “Gategroup” (1,2 miliard) arrihet në një portofol aksionesh që tejkalon 7 miliard euro. Këto shifra e bëjnë atë investitorin e dytë kinez në tregun kontinental të aksioneve pas fondit sovran “Safe” (State Administration of Foreign Exchange).
Nëse mblidhen pjesëmarrjet e subjekteve që drejtohen në mënyrë direkte nga autoritetet kineze (qeveri e bankë qendrore) vlera e portofolit prek 30 miliard euro. Një pjesë e mirë e kësaj shume është në dorë të qeverisë kineze që, referuar bankës së të dhënave të “S&P Market Intelligence”, rezulton se merr pjesë me aksione në 87 shoqëri të listuara ndërkombëtarisht në një ekuivalencë përtej 18 miliard euro. Fondi sovran kinez “Safe” ka 1,56% të “Royal Dutch Shell” (ekuivalent 3 miliard), 1,59% “Bp” (1,7 miliard), 0,83% të “GlaxoSmithKline” (737 milioni) dhe 0,91% të “Vodafone” (546 milion).
Kinezët janë shumë prezentë edhe në Bursën e Milanos ku bëjnë lëvizjet përmes bankës qendrore. Paketa e titujve në dorë të Bankës Popullore të Kinës (People’s Bank of China), që përfshin aksione në Intesa Sanpaolo, Unicredit, Eni, Enel, Terna, Telecom Italia, Generali, Prysmiane Saipem, vlen sëbashku 4 miliard e 395 milion euro. Mes pjesëmarrjeve të rëndësishme, më e madhja është ajo e 10% në Rio Tinto që zotërohet nga “Aluminum Corporation of China” e që vlen 6,6 miliard euro.
Prezenca në rritje e investitorëve kinezë del në pah edhe nga numrat në tregun e bashkimeve dhe blerjeve. Nga analiza e bërë nga “Il Sole 24 Ore” mbi bazën e të dhënave të “S&P Market Intelligence” rezulton se në 5 vitet e fundit janë bërë blerje në shoqëritë europiane nga ana e investitorëve kinezë në një vlerë prej 126,4 miliard euro. Një treg që ka njohur një përshpejtim të mprehtë vitin e kaluar është pasuar nga “maxi-oferta” (43 miliard dollarë) e bërë nga “ChemChina” për të marrë përsipër kontrollin e gjigandit zviceran “Syngenta”.
“IL Sole 24 Ore”/Përshtati: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.