Cigare kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh – Policia procedon penalisht 1 shtetas dhe sekuestron steka duhani dhe dokumente të falsifikuara
Policia Kufitare ka njoftuar goditjen e një rasti të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë dhe të falsifikimit të dokumenteve, duke proceduar kështu penalisht drejtuesin e kamionit dhe sekuestruar steka me cigare dhe dokumente të falsifikuara.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit kanë rritur kontrollin në dalje dhe në hyrje, për të gjithë kamionët që transportojnë mallra dhe si rezultat i kontrollit në vijën e dytë, të kamionit me drejtues shtetasin A. A., 39 vjeç, në kabinë, poshtë dyshekut, u konstatuan të fshehura steka me cigare, të cilat në imazhin e skanimit nuk ishin të markuara,” thuhet në njoftim.
Sipas Policisë po gjatë kontrollit të detajuar rezultoi se targat e rimorkios dhe leja e qarkullimit nuk i përkisnin kësaj rimorkioje. Në vendngjarje kanë mbërritur specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, të cilët në përfundim të veprimeve të para kanë proceduar penalisht shtetasin A. A., për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.