Cilësia e universiteteve, Nikolla: Në dhjetor agjencia britanike do të bëjë publike raportin mbi vlerësimin dhe akreditimin
“Brenda dhjetorit do të ketë një raportim transparent për publikun mbi vlerësimin dhe akreditimin institucional të universiteteve realizuar nga agjencia britanike”, lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla gjatë takimit me homologun e saj të Kosovës, Shyqiri Bytyqi.
Nikolla theksoi se integrimi dypalësh i politikave arsimore midis Shqipërisë dhe Kosovës ka rëndësi të veçantë.
“Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit parauniversitar dhe universitar do të vazhdojë të konsolidohet. Në kuadër të implementimit të kurrikulës së re do të jetë i vlefshëm bashkëpunimi në procesin e kualifikimit të mësuesve, si dhe bashkëveprimi për të gjitha nismat reformuese në këtë sektor. Për MASR reforma në arsimin e lartë është një tjetër proces i rëndësishëm, gjatë të cilit mund të krijojmë bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience. Brenda dhjetorit do të ketë një raportim transparent për publikun mbi vlerësimin dhe akreditimin institucional të universiteteve realizuar nga agjencia britanike. Ne do të krijojmë kushtet për të rritur cilësinë në arsim, pasi kjo është sfida jonë e radhës. Jam e bindur se me punë dhe gatishmërinë e përbashkët do arrijmë integrimin dypalësh të politikave arsimore.”
Nga ana tjetër Bytyqi shprehu gatishmërinë për vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve.
“Bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e arsimit është shumë i rëndësishëm dhe do të vijë duke u forcuar në vijim. Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar në çështjen e kurrikulave dhe ajo çfarë mbetet prioritare midis dy dikastereve në vijim është rritja e cilësisë në fushën e arsimit.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.