Cilët janë 4 “super ekonomistët” e zgjedhur nga Biden? Plani ekonomik për “luftimin” e pandemisë
Biden do të shfaqet në një event në qytetin e tij të lindjes, Wilmington, Delaware, sëbashku me të përzgjedhurit e tij për pozicionet e larta në kabinet, përfshirë këtu të nominuarin e tij për sekretarin e Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ish Kryetarin e Rezervës Federale, Janet Yellen.
Përbërja e ekipit përforcon pikëpamjen e Biden se kërkohet një qasje më agresive ndaj pandemisë. Këshilltarët ekonomikë kanë shprehur të gjithë mbështetjen për stimujt qeveritarë për të maksimizuar punësimin, për të ulur pabarazinë ekonomike dhe për të ndihmuar gratë dhe pakicat, të cilat janë dëmtuar në mënyrë disproporcionale nga rënia ekonomike.
Në ekip do të jetë Cecilia Rouse, një ekonomiste në Universitetin Princeton, e cila do të jetë kryetare e Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë; ekonomistët Heather Boushey dhe Jared Bernstein, si anëtarë të këshillit; Neera Tanden, shefe ekzekutive e Qendrës Liberale për Studimin Amerikan të Progresit, e cila do të nominohet si kryetare e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.
Nominimet e fundit të Biden do të vendosin sërish gra në rolet kryesore ekonomike, duke reflektuar kështu angazhimin e tij për rritje të diversitetit në nivelet më të larta të qeverisë federale.
Rouse do të jetë gruaja e parë me ngjyrë që do të drejtojë Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë, i cili këshillon presidentin për politikat ekonomike; Tanden do të jetë gruaja e parë me ngjyrë që do të drejtojë Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit, ndërsa Yellen do të jetë sekretarja e parë grua e Thesarit.
Sidoqoftë, për të treja do të duhej konfirmimi i Senatit.
Burimi origjinal: Reuters
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.