Cili do quhet investim i gjelbër në BE? Komisioni Evropian e etiketon gazin si financim i qëndrueshëm
Bashkimi Evropian planifikon të etiketojë disa termocentrale të gazit si investime të qëndrueshme, sipas një dokumenti, pasi propozimet fillestare për të mos i dhënë etiketën e gjelbër u përballen me kritika nga disa vende anëtare. Propozimet e reja të komisionit, të ndara me vendet anëtare në fundjavën e kaluar, do të klasifikojnë fabrikat e energjisë që përdorin gaz si investim të gjelbër, nëse arrihen kushte strikte të emetimeve. Propozimi i BE për fabrikat e gazit është pjesë e Taksonomisë së Financimit të Qëndrueshëm, që përcakton se cilat aktivitete mund të etiketohen si investime të qëndrueshme në Evropë nga viti i ardhshëm.
Komisioni synon të kanalizojë më shumë kapital tek projektet që mbështesin mjedisin, në përpjekje për të reduktuar emetimin e gazrave ndotës dhe luftuar ndryshimin klimatik. Megjithatë, ka pasur përplasje mes vendeve anëtare mbi mënyrën se si do trajtohen investimet tek gazi natyror, duke detyruar komisionin që të ndryshojë propozimin fillestar. Gazi natyror, një lëndë djegëse fosile, prodhon thuajse gjysmën e emetimit të dioksidit të karbonit krahasuar me qymyrin, kur digjet në fabrika dhe vende si Polonia dhe Gjermania planifikojnë të shtojnë përdorimin e gazit për të shmangur burimet e tjera më ndotëse të energjisë.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.