“Çirakët”, jo më në të zezë – Kurset profesionale për ndihmës zejtarët me kontratë, me pagesë e me provim
Asnjë subjekt që ushtron profesionin e zejtarit nuk do të mund të mbajë më ndihmës në të zezë. Përmes një vendimi që mban datën 4 shtator, këshilli i Ministrave ka miratuar modelin e kontratës që duhet të nënshkruajë një zejtar dhe ndihmësi i tij për kualifikimin e këtij të fundit, ashtu si dhe detyrimet e secilës palë lidhur me periudhën e kursit profesional. Kurset do të zgjasin nga një në katër muaj dhe në fund të tij ai do t’i nënshtrohet provimit nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, duke marrë statusin e ndihmës mjeshtrit.
Përmes vendimit, mjeshtrit i lind detyrimi ligjor të kryejë vetë kualifikimin profesional të ndihmësit ose të ngarkojë me këtë detyrë një mjeshtër tjetër (pasi palët të kenë rënë dakord me shkrim) të përshtatshëm personalisht dhe profesionalisht e ta njohë atë me secilin nga ndihmësit, pasi ka marrë paraprakisht pëlqimin e palëve me shkrim. Numri i ndihmësve përcaktohet në bazë të kapaciteteve e të nevojave të subjektit zejtar, por nuk duhet të jetë më shumë se pesë ndihmës njëkohësisht.
Po ashtu, mjeshtri ka detyrimin ligjor Të kërkojë menjëherë pas lidhjes së kontratës së kualifikimit profesional regjistrimin në Regjistrin e Ndihmësve pranë Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, duke bashkëlidhur dokumentet e kërkuara sipas kontratës.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.