Civici: Rruga drejt BE kalon së pari nga integrimi dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici u shpreh gjatë fjalës së tij në “Tirana Economic Forum” se ky është momenti më i mirë për Shqipërinë që të jetë aktive në rrugën drejt zhvillimit ekonomik.
“Është momenti më i mirë që edhe Shqipëria në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e saj të të gjitha fushave ekonomike dhe financiare nga Ballkani mund ta stimulojë të jetë aktive në këtë rrugë dhe të ecim të gjithë bashkë drejt zhvillimit.”
Sipas tij, rruga drejt Bashkimit Europian kalon në radhë të parë nga integrimi dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit, duke sjellë në vëmendje se vetë BE u krijua fillimisht si një bashkim ekonomik dhe më pas u bë një bashkim politik.
Po ashtu, Civici shtoi më tej se qeveria shqiptare është e angazhuar në një sërë reformash, strukturore.
“Qeveria shqiptare është e angazhuar në një sërë reformash strukturore dhe mbi të gjitha me reforma që kanë të bëjnë me krijimin e hapësirës ballkanike, krijimin e një tregu ballkanik, heqjen e barrierave dhe përmirësimin e klimës së biznesit për një bashkëpunim sa më të madh.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.