“CLO”, produkti i krizës së ardhshme – BIS: I ngjashëm me “CDO” që solli krizën e vitit 2008
Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare në Bazel, paralajmëroi se standardet e huadhënies në tregun e kredive po përkeqësohen dhe produktet komplekse financiare që maskojnë rreziqet e bankave ngjasojnë me periudhën përpara krizës së vitit 2008. Produktet financiare të mbështetura nga kreditë (CLO), një formë e titullizmit ku pagesat e kredive mblidhen në instrumente që zotërohen nga investitorë të ndryshëm, janë fryrë në kohët e fundit ndërkohë që investitorët kërkojnë kthime më të larta dhe blejnë kreditë e kompanive më të rrezikshme.
Ashtu si produktet (CDO) që mblodhën pagesat e kredive hipotekore nga klientë me profil të ulët të kreditit në një instrument kompleks dhe që fajësohen për krizën botërore financiare, këto të fundit kanë gjithashtu struktura të vështira që maskojnë rreziqet. Organi rregullator i bankave në Bazel bëri të ditur se produktet që mbështeten nga kreditë apo CLO-të, janë më pak të rrezikshme, megjithatë paralajmëroi se kërkesa për fitime më të mëdha nga investitorët po përkeqëson situatën.
“Standardet e dobëta të nënshkrimeve mund të rrisin mundësinë e humbjeve nga kreditit kur të ndodhin dështimet në pagesa në afat-gjatë”, deklaroi institucioni. Vlera totale e këtyre produkteve CLO arrin në 750 miliardë dollarë, ndërkohë që tregu i produkteve që sollën krizën financiare CDO, prekte 640 miliardë dollarë në vitin 2007.
Produktet aktuale formohen nga investimet në kredi të firmave me barrë të madhe të borxhit dhe me vlerësim të ulët të kreditit, apo që kanë kosto të mëdha të shërbimit të borxhit në krahasim me të ardhurat. Bankat japoneze dhe ato amerikane janë ndër investitorët më të mëdhenj të këtyre produkteve. Ndërkohë që ekspozimi i bankave është i dukshëm, zotërimi te investitorët jo-banka si kompanitë e sigurimit, është më i vështirë për t’u gjurmuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.