Çmimet e banesave – BSH: Ranë me 6.3% në tremujorin e parë
Indeksi i çmimeve të banesave në Tiranë pësoi rënie në tremujorin e parë të këtij viti, me 5.9%.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, tregu i pasurive të paluajtshme pësoi një frenim të papritur, pas një ecurie përgjithësisht pozitive gjatë vitit 2016.
Duket se kërkesa ka ndjekur një zhvendosje në tregun e qirave, që, gjithnjë mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, janë rritur me 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e çmimeve në tremujorin e parë të këtij viti mund të interpretohet si një zhvillim i përkohshëm, ndërsa raporti mes çmimeve dhe qirave është ngushtuar, çka dëshmon se, sidoqoftë, tregu vazhdon të ketë kërkesë për pasuri të paluajtshme.
Sipas indeksit të çmimeve të banesave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016 çmimet në Tiranë patën një prirje rritëse, të favorizuara nga gjallërimi i kërkesës. Në rritjen e kërkesës ndikuan normat e favorshme të interesit për kreditë bankare, por edhe ulja drastike e interesave të depozitave, që mund të ketë nxitur investimin në prona si alternativë më fitimprurëse.
Përmirësimet në tregun e pasurive të paluajtshme janë shoqëruar edhe me një tendencë në rritje të ndërtimeve të reja.
Sipas INSTAT, për gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, numri i lejeve të miratuara ishte 292, pesë herë më shumë krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2015.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.