Çmimet e bujqësisë – Më të lira, por… jo frutat, perimet dhe mishi
Çmimet e produkteve bujqësore pësuan një rënie të lehtë gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i çmimeve ra me 0.7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2016, ndërsa rënia ishte më e theksuar te prodhimet bujqësore se sa te ato blegtorale.
Ndër produktet që pësuan rënie të ndjeshme të çmimeve vitin e kaluar ishin drithërat, bimët foragjere dhe patatet, ndërkohë që u shtrenjtuan lehtë çmimet e frutave, perimeve dhe të agrumeve.
Interesante janë të dhënat për ullirin dhe nënproduktin kryesor, vajin. Ndërsa çmimet e ullirit u rritën me 5.4 pikë, çmimet e vajit të ullirit pësuan rënie me dy pikë. Afërsisht i njëjti paradoks, por në kahun e kundërt vlen edhe për raportin e çmimeve mes rrushit dhe verës. Ndërsa çmimi i rrushit u ul me 3.6 pikë, çmimi i verës shënoi rritje me 14.5 pikë në indeksin e çmimeve të Instat.
Kontradiktat mund të shpjegohen me faktin se një pjesë e madhe e prodhimit të verës dhe vajit të ullirit bëhet me lëndë të parë nga importi; megjithatë, sidomos në rastin e vajit të ullirit një tendencë e kundërt e çmimit të produktit me lëndën e parë ngre dyshime për një shkallë të lartë të falsifikimit të produktit, siç është provuar shpesh nga analizat e institucioneve dhe nga investigimet e mediave.
Çmimet në blegtori shënuan një rënie në mesataren e tyre, por me një tendencë të kundërt në çmimet e produkteve kryesore. Ndërsa u vërejt një shtrenjtim i çmimeve të mishit dhe vezëve, kjo u balancua nga rënia e çmimeve të qumështit. Megjithëse në vlera mesatare vitin e kaluar prodhimet bujqësore ishin më të lira, shifrat nuk japin sinjale indirekte për ndonjë rritje spektakolare të ofertës së këtyre prodhimeve në treg. Për më tepër, shumë prej produktet më të rëndësishme në dietë, si perimet, frutat apo mishi ishin më të shtrenjta.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.