“Çmimet e ekselencës në Shërbimet Publike”, QKB dhe DPT, institucionet më të vlerësuara për performancën
Qendra Kombëtare e Biznesit u shpall institucioni me performancën më të mirë për ofrimin e shërbimeve publike, ndërsa në vend të dytë u rendit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Vlerësimi për institucionet, si pjesë e një studimi është fokusuar në pesë faktorë kryesorë, të cilat janë: koha e pritjes, ndërveprimi me punonjësin, cilësia e shërbimit, profesionalizmi i nëpunësit dhe ambienti.
Studimi “Çmimet e ekselencës në shërbimet publike” – një platformë vlerësimi për të përmirësuar shërbimet publike me në qendër qytetarin” u krye nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), me mbështetjen e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSH) dhe bashkëpunimin e ngushtë me MIAP, në periudhën kohore Shtator 2016 – Dhjetor 2016.
“Për realizimin e këtij studimi u aplikua si instrument vlerësimi “Vizitat e Klientit Misterioz”, instrument ky i përdorur gjerësisht në vlerësimin e dhënies së shërbimeve nga operatorët privatë, i cili po përdoret për herë të parë në vlerësimin e shërbimit të ofruar në institucionet publike. Studimi u krye në 6 institucione që ofrojnë shërbime dhe kanë pasur numrin më të madh të transaksioneve përgjatë vitit 2015 të tilla si: Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore” thuhet në një njoftim të ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike.
Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve, ministrja Milena Harito u shpreh: “Në një sistem të pamodernizuar, jo profesional ka vend për të gjithë abuzimet dhe të gjithë korrupsionin e mundshëm. Në momentin që ngre një sistem modern, të dixhitalizuar, të kontrolluar me procedura të qarta me afate të qarta, që në atë moment sistemi përmirëson mënyrën sesi funksionojnë njerëzit. Ky është besimi jonë në të gjithë këtë proces dhe do ta çojmë deri në fund”, tha Harito.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.