Çmimet e konsumit – Indeksi i harmonizuar u rrit me 1.4%
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit për muajin qershor me 1.4%. Ky indeks, që synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me vendet e Bashkimit Europian, për këtë vit ka një ecuri në linjë me indeksin e brendshëm të çmimeve të konsumit. Për qershorin, norma zyrtare e inflacionit në Shqipëri rezultoi sërish në rënie dhe arriti në 1.3%. Edhe indeksi i çmimeve të harmonizuara që prej muajit mars po shfaqet në nivele të ulëta. Në analizat e Bankës së Shqipërisë, rritja e dobët e çmimeve në pjesën e parë të këtij viti i detyrohet transmetimit të efekteve të mbiçimit të ndjeshëm të lekut, në mesin e vitit të kaluar. Banka Qendrore parashikon që ky efekt të zbutet gradualisht në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa inflacioni parashikohet të arrijë pranë objektivit prej 3% vetëm në vitin 2021.
Sipas INSTAT, rritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve ka ardhur kryesisht nga ushqimet dhe shërbimet e hotelerisë, restoranteve dhe kafeneve. Grupi i ushqimeve historikisht ka qenë kontribuesi kryesor në rritjen e indeksit të harmonizuar të çmimeve. Për qershorin, ai kontribuoi me 1 pikë përqindje në rritjen totale. Ndërkohë, një ndikim në rritje po jep sektori i hotelerisë, bareve dhe restoranteve, me 0.34 pikë përqindje. Rritja e çmimeve në këtë grupi mund t’i atribuohet shtrenjtimit të shërbimeve të hotelerisë, ku kërkesa në vitet e fundit paraqitet në rritje të ndjeshme, për shkak të fluksit të turistëve të huaj.
Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga INSTAT, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.