Çmimet e prodhimit – Rriten me 2% në tremujorin e tretë
Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit më tej në tremujorin e tretë të vitit, duke shtuar pritshmëritë për një rritje të inflacionit gjatë muajve në vijim. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tremujorin e dytë, rritja kishte qenë 1.6%, çka tregon një tendencë në rritje. Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilat produktet hidhen në treg nga prodhuesit vendas.
Rritja e çmimit me të cilin mallrat hidhen në treg ka gjasa që të përcillet me një rritje në hallkat e mëtejshme të tregtimit, deri në shitjet për blerësit përfundimtarë, duke u përcjellë edhe në indeksin e çmimeve të konsumit. Rritja e çmimeve të prodhimit përputhet me pritjet për rritje graduale të inflacionit.
Pritet që inflacioni mesatar këtë vit të ngjitet sipër kufirit të 2%, nga 1.3% që kishte qenë vitin e kaluar. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve të prodhimit është një tregues i rëndësishëm edhe për ecurinë e biznesit prodhues.
Rritja e çmimeve shton stimujt për rritje të prodhimit, punësimit dhe pagave në industri. Rrjedhimisht, kjo rritje mund të interpretohet si një sinjal pozitiv për ecurinë e pritshme të sektorit prodhues në vend.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.