Çmimet e prodhimit – Rritja frenoi në tremujorin IV të vitit 2018
Indeksi i çmimeve të prodhimit e frenoi ndjeshëm rritjen në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas Instat, çmimet e prodhimit u rritën 0.5% me bazë vjetore, rritja më e dobët e regjistruar për vitin e kaluar. Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit, ndaj jep një orientim për rritjen e çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt. Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë.
Ngadalësimi i ndjeshëm në tremujorin e katërt mund të shpjegohet me përcjelljen e efekteve të forcimit të monedhës vendase. Mbiçmimi i lekut ndaj euros duket të ketë ulur kostot e industrisë përpunuese dhe, rrjedhimisht, edhe çmimet e prodhimit. Pikërisht industria përpunuese dha efektin kryesor, me një rënie të çmimeve me 1.5% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore, indeksi i çmimeve të prodhimit ishte sërish negativ me 1.9%, çka nënkupton çmime ende në rënie. Ndërkohë, edhe në industrinë nxjerrëse rritja e çmimeve të prodhimit u ngadalësua ndjeshëm në 4.3%, nga mbi 20% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.
Kjo duket se lidhet kryesisht rënien e çmimit të naftës bruto në bursa. Banka e Shqipërisë ka parashikuar që forcimi i lekut gjatë vitit 2018 do të vazhdojnë të japë efekte në ecurinë e çmimeve deri në mesin e këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.