Çmimet e referencës – 86% e mallrave të importit zhdoganohen në bazë të faturës
Çmimet e referencës edhe pse ishte premtuar që do të hiqeshin për biznesin, do të ekzistojnë për disa mallra dhe për vende të caktuara.
Çmimi i referencës është një çmim standard mbi të cilin bazohet dogana për aplikimin e taksave. Kështu, për të shmangur abuzimet e mundshme me faturat dhe kontratat e blerjes së mallrave, doganat aplikojnë çmime standarde të bazuara në kriteret e tregut dhe në të dhënat e mallit.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, aktualisht vetëm për 14 % të mallrave që hyjnë në doganat shqiptare aplikohen çmimet e referencës. Ndërsa për 86 % të këtyre mallrave paguhet detyrimi doganor në bazë të çmimit të faturës që paraqet biznesi-importues. Vlera doganore përfshin çmimin e mallit, shpenzimet e transportit dhe shpenzimet e sigurimit të mallit në transport, deri në arritjen e mallit pranë zyrës doganore të deklarimit.
Dokumentet bazë të llogaritjes së vlerës doganore janë faturat e blerjes, fatura e transportit dhe çdo dokument tjetër i verifikueshëm. Megjithatë gjate procesit te importimit të mallit, dogana ka të drejtën e verifikimeve për të vërtetuar shumat e deklaruara.
Për këtë qëllim organet doganore mund të kryejnë krahasime të importeve dhe mallrave të ngjashme, të mallrave të importuara nga i njëjti vend i origjinës, apo të mallrave të importuara më parë nga i njëjti importues. Por shqetësimi kryesor i biznesit për administratën doganore është ai i përdorimit pa kriter të çmimeve të referencës.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.