Çmimet i rikthehen humbjeve – Rezervat në SHBA rriten me 1 mln fuçi javën e kaluar
Çmimet e naftës i janë rikthyer sërish humbjeve, gjatë sesionit të sotëm, pas rritjes së konsiderueshme ditën e mërkurë. Rritja surprizë e rezervave të naftës në SHBA dhe pritshmëritë për rritjen e prodhimit nga OPEC dhe Rusia po ushtrojnë presion mbi çmimet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 77.3 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 68 dollarë për fuçi.
Referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat e naftës në SHBA u rritën me 1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 25 maj, në totalin e 434.9 milionë fuçive, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 525 mijë fuçi.
Ndërkohë, të dhënat zyrtare të Administratës për Informimin mbi Energjinë do të publikohet më vonë gjatë ditës së sotme.
Në fokus të investitorëve ka qenë rritja e mundshme e prodhimit nga Organizata e Vendeve Eksportuese të naftës dhe vendet e tjera që nuk janë pjesë e organizatës, me në krye Rusinë, sidomos pasi Arabia Saudite, që është de facto lider i kartelit, deklaroi se prodhimi mund të rritet me rreth 1 milionë fuçi.
Që në fillim të vitit 2017 këto vende kanë vendosur të ulin prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, deri në fund të këtij viti. Në fokus të investitorëve do të jetë takimi i radhës i OPEC që zhvillohet më 22 qershor në Vjenë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.