Çmimet në drejtim të kundërt – Rritet nafta Bruto, dollari rrëzon naftën Brent
Çmimet e naftës po qëndrojnë në performancë mikse në sesionin e sotëm. Nafta Bruto amerikane është mbështetur nga reduktimi i furnizimit nga Kanadaja, ndërsa nafta Brent e Londrës po gjendet nën presion për shkak të presioneve ndërkombëtare.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.9 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se, rritja e naftës në Shtetet e Bashkuara është ndikuar nga reduktimi i furnizimeve nga tubacioni i Kanadasë, ndërsa që nga viti i kaluar ka operuan nën kapacitet për shkak të disa rrjedhjeve.
Ndërsa nafta Brent është në rënie për shkak të zhvlerësimit të aksioneve aziatike dhe dollarit të fortë. Për rrjedhojë, ecuria në drejtime të kundërta e çmimeve ka ngushtuar edhe diferencën mes dy bençmarkëve kryesorë, në rreth 3 dollarë, nga 7 dollarë që ishte diferenca në fund të vitit 2017.
Gjithsesi, tregu vijon të jetë i furnizuar mirë. Sekretari i Përgjithshëm i OPEC, Mohammad Barkindo deklaroi se organizata e ka respektuar në 133% marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë, që do të thotë se ulja e prodhimit ka qenë më e madhe.
Ndërkohë, OPEC parashikon se, gjatë këtij viti kërkesa globale për naftë parashikohet të rritet me 1.6 milionë fuçi në ditë. Por, rritja e prodhimit në SHBA mbi 10 milionë fuçi në ditë pritet të ushtrojë presion mbi çmimet.
Gjatë vitit të kaluar, SHBA u bë prodhuesi i dytë më i madh në botë i naftës, duke tejkaluar Arabinë Saudite. Tashmë, vetëm Rusia prodhon më tepër se Amerika.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.