Çmimet pak rritje në dhjetor – Viti 2017 mbyllet me inflacion mesatar pranë 2%
Inflacioni e mbylli vitin 2017 në nivele të ulëta. Sipas Institutit të Statistikave, për dhjetorin inflacioni ishte 1.8%, me një rritje të lehtë nga vlera 1.7% e muajit nëntor. Inflacioni mesatar i vitit 2017 rezulton pranë nivelit 2%, në intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës Qendrore.
Inflacioni është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2016, kur kishte qenë 1.3%. Gjithashtu, norma mesatare vjetore prej 2% është më e larta e regjistruar në pesë vitet e fundit.
Megjithatë, kjo vlerë është më e ulët se projeksionet fillestare të Bankës së Shqipërisë, që për vitin 2017 priste një inflacion pranë nivelit 2.3%. Inflacioni më i ulët se parashikimet ka bërë që Banka Qendrore të shtyjë ciklin lehtësues të politikës monetare të paktën edhe për vitin e ardhshëm.
Në analizat e këtij institucioni, inflacioni i ulët i detyrohet çmimeve të lëndëve të para të importit, por edhe forcimit të lekut në kursin e këmbimit. Gjatë muajit dhjetor, u regjistrua një rënie e ndjeshme e inflacionit të ushqimeve, që zbriti në 2.8%, nga 3.7% që kishte qenë për nëntorin.
Çmimet e prodhimeve ushqimore industriale, si sheqeri, rezultuan në rënie, ndërsa rritje modeste shënoi inflacioni edhe për produkte të tjera ushqimore, si mishi apo zarzavatet.
Por, efekti i rënies së inflacionit të ushqimeve u kompensua pjesërisht nga grupi “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”, që u rrit në 2.2%, nga 0.6% që ishte muajin e mëparshëm. Shtrenjtimi i karburanteve vazhdoi edhe për dhjetorin, duke e rritur inflacionin e grupit “transporti” në 2.1%, nga 1.9% që ishte për nëntorin.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.