Çmimet zgjerojnë fitimet – Rezervat e naftës në SHBA bien me 4.2 mln fuçi
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, pas raportit të publikuar në SHBA, që tregoi një rënie të rezervave të naftës bruto. Gjithashtu, çmimet po mbështeten edhe nga rezistenca e OPEC ndaj thirrjeve të presidentit Donald Trump për të mos ulur prodhimin.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55.9 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.5 dollarë për fuçi.
Referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 4.2 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 22 shkurt, në totalin e 444.3 milionë fuçive.
Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen nga administrata amerikane më vonë gjatë ditës së sotme.
Në përgjithësi, tregjet po gjejnë një mbështetje nga ulja e prodhimit nga OPEC dhe Rusia me 1.2 milionë fuçi në ditë.
Grupi sinjalizoi se do të vijojë me uljen e prodhimit, pavarësisht presionit të Donald Trump, për të mos rritur artificialisht çmimet e naftës.
Në anën tjetër, rritja e prodhimit në SHBA në nivelin rekord prej 12 milionë fuçi në ditë, ushton presion konstant mbi çmimet.
Gjithashtu, një shqetësim tjetër për tregun e naftës është edhe ngadalësimi i ekonomisë globale dhe lufta tregtare SHBA-Kinë.
Për këtë arsye, analistët mendojnë se, ulja e prodhimit nga OPEC ka dështuar të përmirësojnë raportin kërkesë-ofertë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.