Ç’ndodhi me paratë e pandemisë? Raporti/ Sektori shëndetësor përfitoi 24.3 mln euro, i pamjaftueshëm për nevojat reale
24.3 milionë euro është vlera që ka përfituar sektori shëndetësor shqiptar për të përballuar pandeminë e koronavirusit, kosto e pamjaftueshme për të përballuar nevojat reale. Ndërkohë, gjithë shërbimi ka qenë i centralizuar në Tiranë, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha spitalet rajonale e bashkiake, të cilat përgjatë kësaj periudhe patën edhe një rënie të konsiderueshme të të ardhurave të tyre dytësore”. Në këtë përfundim ka arritur raporti “Ndiq paranë e Covid-19”, i realizuar nga shoqata “Together for Life”, ku është bërë një analizë e plotë se ç’ndodhi me paratë që u vunë në dispozicion për të përballuar pandeminë Covid-19.
Sipas raportit, edhe pse buxheti u rishikua 3 herë për vitin 2020, disa prej programeve të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk kanë pasur asnjë ndryshim në buxhetin e alokuar, si: Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi, Shërbimet e Kujdesit Parësor apo Shërbimet e Shëndetit Publik. Ndërkohë që ndikimi i akteve normative parashikohet të ketë një deficit prej 132,6 milion Euro në buxhetin e vitit 2020 për shpenzimet totale të Qeverisë (përfshirë sektorin e shëndetësisë). Gjithashtu, sipas dokumentit, 58% e shpenzimeve në një spital ka shkuar për pagat dhe shpërblimet e stafit, shpenzimet për ilaçe dhe pajisje mjekësore arrijnë në rreth 20% të shpenzimeve totale mujore të spitaleve, ndërsa shpenzimet e tjera operacionale kanë një pjesë prej 22% të totalit. Raporti vlerëson se para shpërthimit të Covid-19, sistemi shëndetësor shqiptar u përball me vështirësi kritike në financimin dhe ofrimin e shërbimeve. Kostot për frymë për shëndetësinë shqiptare (2.9%) janë dukshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së (10%) dhe mënyra se si shpenzohet financimi i pakët është joefikas ose në kundërshtim me profilin e sëmundshmërisë në rajon.
Gjithashtu rezulton se fondet për veprimet parandaluese për të mbrojtur popullatën nga infeksioni janë lënë pas dore, dhe gjithçka ka mbetur vetëm në këshillimet për mbajtjen e maskave, larjen e duarve dhe ruajtjen e distancës shoqërore, si dhe mungojnë ekipe të trajnuara për të ndihmuar pacientët me Covid-19, të cilët ndiqen nga mjeku i familjes dhe trajtohen në shtëpi. Sipas të dhënave të këtij raporti, në Spitalin Universitar të Traumës janë transferuar të gjitha urgjencat e kirurgjisë, por edhe ato të patologjive malinje, duke trefishuar punën në këtë spital. Kjo mbingarkesë ndodh kur spitalet rajonale kanë kapacitetet infrastrukturore dhe të burimeve njerëzore për të përballuar fluksin e urgjencave kirurgjikale dhe ato të sëmundjeve malinje. Analistët e raportit pohojnë se vendosja në funksion e spitaleve rajonale nuk kërkon investime me shuma të mëdha, por është kosto – eficiente për burimet njerëzore dhe për financat.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.