“Coface” për riskun e Shqipërisë – Njësoj si një vit më parë, kosolidimi fiskal do rigjallërohet, investimet të cunguara
Agjencia e vlerësimit të riskut, “Coface” ka përditësuar profilin e rrezikut të Shqipërisë.
“Pavarësisht se është ngadalësuar që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, rritja pritet të jetë e lartë përgjatë 2019-ës. Konsumi familjar do të marrë mbështetje edhe nga papunësia në rënie, si dhe nga rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës, që lidhet ngushtë me rënien e ekonomisë informale”- thotë “Coface” për ekonominë shqiptare, duke saktësuar se do të jetë kërkesa e brendshme lokomotiva e rritjes ekonomike të vendit. Sa i përket investimeve, agjencia nënvizon qartë se, ato të brendshme, sidomos në infrastrukturë do të jenë problematike.
“Këto investime në rrugë dhe hekurudhë, do të kufizohen ndjeshëm nga konsolidimi fiskal, si dhe kujdesi i bankave për t`i financuar ato.”-thuhet mes reshtave. Sa i përket konsolidimit fiskal, agjencia parashikon një rigjallërim të lehtë këtë vit. Borxhi publik vlerësohet mjaft i lartë, paçka se në rënie.
“Kësaj barre borxhi i duhen shtuar edhe rreth 1 miliardë dollarë kontrata të qeverisë në formën e partneritetit publik privat në sektorë si infrastruktura rrugore dhe shëndetësia apo edukimi”-thuhet më tej.
Një pjesë e këtyre projekteve madhore në infrastrukturë gjatë ditëve të fundit janë anulluar apo është njoftuar rishikimi i tyre. Tregtia e jashtme, turizmi dhe remitancat janë të gjithë tregues që projektohen të rriten gjatë këtij viti. Ndër të tjera, “Coface” nënvizon se projektet hidroenergjetike janë të kundërshtuar nga opinioni publik në vend si pasojë e dëmeve ambientale, duke sugjeruar kështu klientët e saj që të mos investojnë në këtë sektor në Shqipëri. Sa i përket axhendës së reformave, “Coface” thotë se do të vazhdojë, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ka ende shumë punë për të bërë për të përmirësuar administratën si dhe gjyqësorin, luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kontrabandën mes Italisë dhe Shqipërisë”-thuhet më tej. Sa i përket rritjes ekonomike këtë vit, “Coface” projekton një normë në 3.8%. Profili i riskut ndërkohë, ashtu si një vit më parë vlerësohet me notën “C”, me të njëjtën notë që vlerësohet edhe klima e biznesit, më keq se Maqedonia, Serbia apo Bosnje Hercegovina.
Roel Korkuti/SCAN
https://www.coface.com/Economic-Studies-and-Country-Risks/Albania
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.