Covid-19 do të “fshijë” 1.5% të PBB tonë/’ Instituti i Vienës’ publikon projeksionet: Rritja ekonomike do bjerë me 1.5%, nuk ka recesion
Covid-19 do të fshijë 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë, parashikon Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, që është i pari institucion ndërkombëtar prestigjioz që publikon shifrat e rritjes ekonomike pas shpërthimit të Covid-19 në Europë.
Kjo normë, pra 1.5% e PBB, përkthyer në vlerë monetare, fiksohet në rreth 200 milionë euro.
Parashikimi i Institutit të Vienës për studime ekonomike ndërkombëtare është për të gjitha vendet e Europës lindore, dhe tregon se impakti ekonomik do të jetë më i rëndi që prej krizës financiare globale të vitit 2008.
Projeksionet flasin për një normë rritje të ekonomisë shqiptare këtë vit në vetëm 1.7%, nga 3.2% që parashikohej përpara shpërthimit të Covid-19 në zemër të Europës.
Impakti i pandemisë në ekonominë shqiptare vlerësohet në nivele të ngjashme me vendet e tjera të rajonit, prjeksionet e të cilave janë para gjithashtu në rënie të ndjeshme.
Edhe për Kosovën dëmi vlerësohet i njëjtë, në 1.5% të rritjes ekonomike. Pavarësisht shifrave, mes rrreshtave Instituti i Vienës thotë se vende si Shqipëria, të varura nga turizmi, do të jenë ato që do ta ndjejnë më shumë virusin në ekonomitë e tyre.
Gjithsesi jemi ende në parashikimet dhe bilancet e para të kësaj krize që ka përfshirë çdo cep të globit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.