COVID-19 “infektoi” konsumin – Janar-Tetor 2020/ Rënie me 6.4%, 30.6 mln euro më pak se plani
Pandemia COVID-19, ka krijuar efekte negative zinxhir në jetën ekonomike të vendit, duke shkaktuar mbyllje të bizneseve, papunësi të lartë, rënie të ardhurash për individët dhe rrjedhimisht edhe ulje të konsumit. Këtë e faktojnë edhe shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave, ku përgjatë periudhës Janar-Tetor 2020, të ardhurat e arkëtuara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, regjistrohen në 105.6 miliardë lekë, apo 850.7 milionë euro, me rënie prej rreth 63 milionë eurosh në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar nga tatimet, që është tregues direkt i konsumit vendas u realizua në masën 37 miliardë lekë, 2.5 miliardë ose 6.4% më pak se 10 mujori 2019, si dhe 3.8 miliardë ose 9.2 % më pak se plani i TVSH për tu arkëtuar gjatë Janar-Tetor 2020. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja bruto, sipas financave vjen si pasojë e efekteve direkte të pandemisë Covid-19, i cili ka bërë që qytetarët të tregohen më të kursyer. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT, rënia e konsumit në tremujorin e dytë të vitit rezulton më e lartë, por duke marrë parasysh se shifrat e Financave llogarisin edhe periudhën para pandemisë si dhe tremujorin e tretë ku ka pasur një përmirësim të ndjeshëm, situata duket më e lehtësuar.
Ndërkohë rënie kanë pësuar edhe ardhurat nga TVSH në import, të cilat mblidhen nga doganat, ku për 10 mujorin rezultojnë 81 miliardë lekë, 7.9 miliardë lekë ose 9 % më pak se një vit më parë, si dhe 0.5% më pak se plani i periudhës. Edhe në këtë zë, kërkesa e dobët vendase ka sjellë rënie të importeve të taksueshme, çka ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve të TVSH-së në import.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.