COVID-19 në ekonominë shqiptare/Bizneset që humbin dhe përfitojnë
Përhapja e koronavirusit (COVID 19) në vendin tonë mund të japë goditje për ekonominë, e cila ka filluar dhe mund te ndjehet më shumë në vijim.
I gjithë sektori i shërbimeve në Tiranë dhe Durrës, si bare, restorante; pube, etj, është mbyllur, duke bërë që këto biznese të mos arkëtojnë të ardhura për këtë periudhë, ndërkohë që kanë një sërë detyrimesh për të paguar, që nga qiratë, taksat, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve, pavarësisht se nuk janë në punë.
Po ashtu, goditje ka marrë edhe industria turistike, hoteleritë, që në këto kushte kanë pasur anulim rezervimesh nga turistët, dhe po ashtu agjencitë turistike po përballen me rënien e shitjeve të numrit të biletave për shkak të anulimeve të fluturimeve me Italinë dhe SHBA-të, si dhe të frikës së qytetarëve për të udhëtuar gjatë kësaj periudhe.
Po ashtu, efektet priten të ndjehen edhe në fabrikat e mëdha të prodhimit në vend, për shkak të reduktimit të stafit nga frika e përhapjes së COVID-19. Ndërkohë edhe bizneset e tjera të natyrave të ndryshme, po përjetojnë një ndalim shitjesh, si rrjedhojë e izolimit të qytetarëve.
Sektori që ka pasur rritje gjatë kësaj periudhe kanë qene shitjet me pakicë, kryesisht sa i takon produkteve ushqimore dhe të tjerave që janë të domosdoshme për një jetëse normale.
Nga frika e krizës së ushqimit, ditët e fundit qytetarët janë dyndur nëpër markete për të bërë blerje përgjatë gjithë muajit, në mënyrë që të jenë të sigurtë dhe të përgatitur për çdo situatë.
Ndërkohë që edhe kompanitë e farmaceutikës kanë pasur bum shitjesh, për shkak të masave që kanë marre qytetarët për pajisje me maska, dezinfektantë, dorashka, etj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.