Covid-19, nis terapia me plazëm. Manastirliu bën apel për shtimin e dhurimeve vullnetare
Ka nisur procedura për terapinë e plazmës konvaleshente për trajtimin e të prekurve nga COVID19 që janë në trajtim spitalor.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga banka e gjakut në QSUT, në celje të fushatës ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ ka deklaruar se janë marrë masat dhe janë finalizuar protokollet për terapinë e plazmës.
“I gjithë ekipi i qendrës së gjakut, QSUT, i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë hartuar protokollet për terapinë me plazëm. Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se janë marrë masat për kryerjen e të gjithë procesit, që nga ekzaminimet e deri te procesi final i trajtimit. Ministrja ka kërkuar nxitjen e zinxhirit të solidaritetit për dhurimin e plazmës nga personat që e kanë kaluar sëmundjen.
“Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.