COVID -19 nuk kursen moshat e reja, Qato: Virusi po i merr jetën edhe atyre pa sëmundje shoqëruese
Mjekët vijojnë të apleojnë për respektim të masave kundër përhapjes së Covid -19, në një kohë që shifrat e te prekurve po rriten ndjeshëm. Mjekja Migena Qato, Në një postim në FB të Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, thekson se ky virus nuk po kursen as të rinjtë.
Virusi nuk po kursen as të rinjtë, madje kohët e fundit nga Covid-19 janë prekur edhe individë të cilët nuk kanë sëmundje bashkëshoqëruese, ku për fat të keq disa prej tyre nuk kanë mundur ta fitojnë betejën. Kështu është shprehur mjekja Migena Qato në një video të postuar në Facebook nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
“Prej më tepër se 5 muajsh po përballemi me një pandemi të përmasave, që kurrë më parë nuk ishim përballur. Ditët e fundit kanë qenë jo të lehta për ne, pasi numri i rasteve është shtuar në mënyrë të konsiderueshme dhe jo vetëm kaq. Tani dominojnë për fat të keq edhe mosha të reja, të cilat kanë qenë të paprekura nga sëmundje të tjera më parë.
Qato përsërit nevojën për të respektuar masat nga të gjitha moshat
Ndaj apeli shkon që të jemi shumë të kujdesshëm, të ruajmë distancën sociale, sepse tani Covid nuk ka më preference në moshë, nuk po kursen asnjë subjekt të popullatës. Ndaj jeni të kujdesshëm, mbroni veten tuaj dhe të afërmit”, shprehet mjekja.
Së fundmi shifrat e të prekurve nga ky virus janë rritur ndjeshëm po ashtu edhe të personave të cilën kanë ndërruar jetë përfshirë edhe moshat e reja.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.