“Covid 19, rrisni vigjilencën” – Manastirliu, personelit shëndetësor: S’mund të jemi vend imun
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka kërkuar nga strukturat shëndetësore në territor rritjen e vigjilencës për të identifikuar në kohë rastet e mundshme me koronavirus.
Gjatë mbledhjes së Task-Forcës Manastirliu shtoi se Shqipëria nuk mund të jetë imun nga COVID 19, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar.
Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, Skënderj Brataj, tha se ka patur një rritje me 45% të thirrjeve në numrin unik 127, ndërsa 326 thirrje janë klasifikuar me kodin e ri Korona.
Manastirliu ka deklaruar se në të gjitha strukturat shëndetësore ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave shtesë, ndërsa shefja e spitalit Infektiv në QSUT u shpreh se janë shtuar dhomat e izolimi dhe personeli në gatishmëri për pritjen e rasteve potenciale.
Më herët përfaqësues të Task-Forcës kanë kërkuar vetë-izolimin në banesat e tyre për një periudhë 14 –ditore e të gjithë atyre pasagjerëve që vijnë nga vende ku ka raste me kornavirus.
Po ashtu, qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral, sikurse është temperatura, kolla, rrufa dhe vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë numrin unik 127 të Urgjencës Kombëtare për të marrë udhëzimet e nevojshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.