COVID-19 tkurr buxhetin e shtetit – 346 milionë euro më pak, rriten shpenzimet, “fluturon” defiçiti
Pandemia e COVID-19 ka detyruar qeverinë që të rishikojë për herë të tretë buxhetin e shtetit, i cili për vitin 2020 parashikohet të të mbyllet me 43.1 miliardë lekë apo 346.5 milionë euro më pak të ardhura në raport me rishikimin e fundit. Nga ana tjetër shpenzimet parashikohen me rritje prej 21.1 miliardë lekësh apo 169.6 milionë euro, ndërsa defiçiti buxhetor do të arrijë shifrën rekord prej 133 miliardë lekësh. Në aktin normativ të botuar në Fletoren Zyrtare, të ardhurat tatimore paraqiten me rënien më të madhe prej 37 miliardë lekësh, pasi duket se qeveria ka llogaritur edhe kostot nga heqja e tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së për biznesin e vogël, tregues të cilët parashikohen me tkurrjen më të madhe. Kështu të ardhurat nga tatimi mbi fitimin parashikohen në 30 miliardë lekë, me rënie prej 4 miliardë lekësh nga rishikimi i fundit, ndërsa nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të mblidhen 130.7 miliardë lekë apo rreth 11.9 miliardë lekë më pak. Përpos paketave këtu ka ndikuar edhe fakti që për dy muaj një pjesë e mirë e bizneseve nuk funksionuan si dhe u tkurr konsumi, dhe po ashtu dhe masat e qeverisë për shtyrjen e pagesave të kësteve të tatim fitimit për vitin e ardhshëm për subjektet me xhiro 5-8 milionë lekë. Ndërkohë që treguesit e tjerë kanë një tkurrje më të vogël. Me rënie me 9 miliardë lekë parashikohen edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për shkak të goditjes që pandemia ka dhënë në punësim, si dhe ato nga pushteti vendor me 3.9 miliardë lekë. Sa i takon shpenzimeve, ato kapitale janë rishikuar në rritje me 7 miliardë lekë si dhe fondi rezervë po ashtu është rritur me 7 miliardë lekë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.