Covid-19 ul importet nga Kina – Në Shqipëri ranë me 27% gjatë Janarit, “digjen” miliona euro
Shpërthimi i koronavirusit të ri në Kinë, Covid-19, që në ditët e para të Janarit, bëri që shtete të ndryshme të botës të merrnin masa parandaluese, duke paralizuar tregtinë me një superfuqi globale. Kjo paralizë vihet re edhe në nivelin e importeve në vendin tonë nga Kina gjatë muajit Janar të këtij viti. Rënia është e ndjeshme. Gjatë janarit u importuan 4.1 miliardë lekë mallra nga Kina, nga 5.2 miliardë të muajit paraardhës, në rënie me 27%.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur importet ishin në masën 4.6 miliardë lekë, rënia fiksohet në rreth 12%. Kemi të bëjmë me një rënie të importeve në terma vjetorë me të paktën 4 milionë euro, dhe në terma mujorë, rreth 9 milionë euro. Rënia e papritur e importeve nga Kina gjatë muajit të parë të këtij viti, duket se është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shpërthimit të virusit në Kinë, pasi kohët përkojnë.
Paçka se shifrat në fjalë janë ende të vogla, sinjalizojnë se pasojat e këtij kërcënimi të ri mund të jenë mjaft të mëdha në ekonominë tonë. Mbyllja e fabrikave në Kinë dhe paralizimi i tregtisë pritet të ndihen më shumë gjatë shkurtit, ndërkohë që shpërthimi i virusit në vendet e tjera të botës, e sidomos në Itali, partnerin tonë kryesor tregtar, duke qenë se zë 33% të vëllimit tonë tregtar, pritet të sjellin një ngadalësim të ndjeshëm gjatë ditëve dhe muajve në vijim, jo vetëm në aspektin tregtar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.