COVID godet “zemrën” e eksportit vendas. 15 miliardë lekë më pak tekstile dhe këpucë
Eksporti vjetor ka rënë ndjeshëm, krahasuar me vitin 2019. Megjithatë, vlen për t’u theksuar se grupi që ka ndikuar më negativisht në eksportin vendas ka qenë ai i tekstileve dhe këpucëve.
Referuar raportit më të fundit të Institutit të Statistikave mbi tregtinë e jashtme (periudha janar – tetor 2020), eksporti i tekstileve dhe këpucëve në 10 mujorin e 2020-ës është ulur me 6.2%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Sipas shifrave të Instat, në periudhën janar – tetor 2019, eksporti i tekstileve dhe këpucëve ka qenë 100.6 miliardë lekë, ndërsa në periudhën janar – tetor 2020, vlera ra në 84.9 miliardë lekë.
Në fakt, “zemra” e eksportit vendas përbëhet pikërisht nga tekstilet dhe këpucët, si grupmallrat kryesorë që mbajnë eksportin nga Shqipëria, drejt destinacioneve të ndryshme të botës. E pikërisht, në këtë 10 mujor, të dhënat e Instat tregojnë rënie të eksportit të këtij grupmalli me mbi 15 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, tetori rezulton si një muaj rikuperimi krahasuar me muajin shtator, por nuk ka arritur as të barazojë e as të tejkalojë eksportin e tekstileve dhe këpucëve të tetorit të vitit 2019. Shifrat e Instat tregojnë se në tetor 2020, Shqipëria ka eksportuar 9.7 miliardë lekë nga ky zë qendror i eksportit, 204 milionë lekë më shumë se në shtator 2020.
Ndërkaq, krahasuar me eksportin në tetor 2019, Shqipëria ka eksportuar 563 milionë lekë më pak tekstile dhe këpucë. Duhet rikujtuar se Shqipëria, eksportin më të madh të tekstileve dhe këpucëve e ka drejt Italisë, si partneri kryesor tregtar i vendit dhe Italia është vendi vendi me të cilin eksportet kanë pasur rënien vjetore më të madhe, krahasuar me periudhën janar – tetor 2019.
Nga rënia totale e eksporteve të tekstileve dhe këpucëve (15 miliardë lekë), 90% i atribuohet rënies së eksporteve të tekstileve dhe këpucëve me Italinë.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.