“Credins”, 825 milionë euro hua – Tani është banka më e madhe kredituese e ekonomisë
Credins Bank është tashmë banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në mesin e këtij viti portofoli i kredisë së Credins Bank arriti vlerën e 100.6 miliardë lekëve ose rreth 825 milionë eurove. Credins zotëron 18.7% të portofolit total të kredisë për ekonominë.
Të qenit banka më e madhe kredituese e ekonomisë shënon ndoshta pikën më të lartë të aktivitetit të Credins Bank, që nga krijimi i saj në vitin 2003. Ajo është banka më e madhe me kapital shqiptar dhe e treta për nga madhësia, me 14.4% të totalit të aktiveve të sistemit bankar në vend.
Credins ishte ndër bankat që ndoqën një strategji të rritjes edhe gjatë viteve të krizës, duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga frenimi i huadhënies prej shumicës së bankave që i takojnë grupeve të Eurozonës. Në pesë vitet e fundit, totali i aktiveve të Credins Bank është rritur me mbi 70%, ndërsa portofoli neto i huasë është rritur me rreth 40%.
Rritja e rëndësisë të bankave vendase ishte një nga rezultatet më domethënëse të krizës në tregun bankar shqiptar. Tre bankat me kapital shqiptar zotërojnë më shumë se 23% të tregut bankar.
Pesha e tyre specifike në treg është rritur me tre herë krahasuar me një dekadë më parë. Kjo ka ardhur falë rritjes së përmasave të dy bankave ekzituese, por edhe nga blerja e Tirana Bank prej grupit Balfin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.