Credins rrit mikrokredinë – Portofoli zgjerohet me 23% për 9-mujorin
Sistemi bankar po vijon të zgjerohet në segmentin e klientëve të vegjël. Në një intervistë për Tv Scan, Gjovalin Lala, drejtor i shitjes për kreditë Agro dhe Mikro në Credins Bank, thotë se ky segment po regjistron nivele të larta të rritjes edhe gjatë këtij viti. Në fund të shtatorit, portofoli i mikrokredisë së Credins Bank rezultonte në rritje me afro 23%, ndërsë portofoli i bujqësisë dhe agro përpunimit u zgjerua me rreth 14%.
Ndërkohë, raporti i kredive me probleme është në rënie dhe paraqitet ndjeshëm më i ulët në raport me mesataren e sistemit. Në Credins Bank, për portofolin e mikrokredisë, raporti i kredive me probleme është 8.4%, ndërsa për portofolin e bujqësisë ky raport është 4.9%.
Zoti Lala thotë se viti elektoral, këtë herë, nuk pasur ndikim negativ në ecurinë e kreditimit për këtë segment të tregut. Bujqësia dhe agro përpunimi ngelen një prioritet për Credins Bank. Për 9-mujorin, kredia e re në këtë sektor është rritur me mbi 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fermerët po shfaqen veçanërisht të interesuar në zgjerimin e serave, vreshtave, ndërsa një interes të lartë ka edhe ngritja e pikave të grumbullimit për prodhimin bujqësor.
Zoti Lala thotë se formalizimi po e ndihmon aksesin e sistemit bankar në segmentin e mikrokredisë. Sipas tij, sektorët më të kredituar nga Credins Bank në këtë segment janë Shërbimet dhe Tregtia.
Së fundmi, bankat kanë vendosur një fokus të qëndrueshëm në diversifikimin e portofolit të kredisë, çka po favorizon më shumë kreditimin për familjet dhe bizneset e vogla e të mesme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.