Credins vazhdon rritjen – Zgjeron aktivet me 14% në T3, rriten huatë dhe depozitat
Nga ‘SCAN INTELLIGENCE UNIT’
Edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, Credins bank u rrit me ritme të kënaqshme. Treguesit më të fundit financiarë, të publikuar nga vetë institucioni huadhënës tregojnë se, në fund të shtatorit të këtij viti, totali i aktiveve preku shifrën e 239 miliard lekëve, në rritje me rreth 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sa i përket aktivitetit kryesor të bankës, kredia ndaj sektorit privat mbetet shtylla kryesore, me 108 miliard lekë totalin e portofolit, në rritje me 7.35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e publikuara nga vetë banka. Banka raporton gjithashtu një total prej 154 miliard lekësh depozita të klientëve, në rritje me 8% krahasuar me fundin e shtatorit të vitit 2019.
Torta e aktiveve të bankës, veç huasë, përbëhet, sipas peshës, nga letrat me vlerë, me 68 miliard lekë, dhe arka dhe banka qendrore me rreth 35 miliard lekë. Të tre këto zëra përbëjnë rreth 87% të totalit të aktiveve të bankës. Credins është banka e tretë më e madhe në Shqipëri. Në fund të muajit shtator, Credins Bank numëron 58 degë dhe 949 punonjës gjithsej, në rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.