Credit Suisse i rikthehet fitimit – Shton kapitalin me 4 miliardë franga zviceriane
Grupi Credit Suisse njoftoi se do të rrisë kapitalin e saj me 4 miliardë franga, ose me rreth 3,6 miliardë euro, duke hequr dorë kështu nga kuotimi në bursë i një pjese të biznesit në Zvicër.
Institucioni financiar zviceran ka njoftuar të mërkurën gjithashtu se i është rikthyer bilancit pozitiv në tremujorin e parë e të vitit 2017, duke e mbyllur me një fitim neto prej 596 milionë franga zviceriane. Kjo shënon një kthesë të madhe për Credit Suisse, e cila e kishte mbyllur të njëjtën periudhë të një viti më parë me një humbje prej 302 milionë frangash.
Grupi njoftoi gjithashtu se mbetet i kujdesshëm për pritshmëritë afatshkurtër:
“Jemi vetëm pak javë në tremujorin e dytë dhe vazhdojmë të shohim hyrje të reja pozitive në asetet neto. Kemi vënë re gjithashtu se pasiguritë politike kanë patur ndikim në volumin e klientëve në javët e para të Prillit. Rezultati i kwtij tremujori do të varet nga zhvillimet politike, të cilat janë ende të vështira për t’u parashikuar”.
Shtimi i kapitalit do t’i mundësojë gjithashtu të përforcojë kapitalin me objektivin për të çuar raportin Cet1 (mjaftueshmërinë e kapitalit) në 13,4%, dhe i lejon bankës të ketë më tepër fleksibilitet financiar për të realizuar strategjinë e saj.
Në njoftimin e Credit Suisse, ajo ka njoftuar edhe heqjen dorë nga projekti për të kuotuar një pjesë të Swiss Bank, duke vendosur të mbajë kontrollin e plotë të shoqërisë që merret me aktivitetet e grupit në Zvicër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.