Credit Suisse “ngrin” rublat – Bllokon $5 mld pasuri të rusëve, frikë nga sanksionet e SHBA
Credit Suisse ka ngrirë 5 mld dollarë franga zviceriane të lidhura me Rusinë, për të shmangur kështu që të përfshihet nga sanksionet amerikane, duke rritur edhe më tej presionin ndaj Moskës zyrtare. Credit Suisse por edhe banka të tjera zviceriane janë akuzuar vazhdimisht se punojnë me individë dhe ente të dyshimta të Kremlinit.
Lëvizja ndërkohë mund të përkthehet në fundin e një parajse fiskale për rusët. Rublat e oligarkëve rusë ishin mësuar të strehoheshin në bankat zviceriane dhe tanimë duket se duhet të gjejnë strehëz tjetër. Në 2017, 14% e daljes jashtë kufijve të parave ruse shkuan në Zvicër, ose 6.2 miliardë dollarë, thuajse 3 herë më shumë se paratë që shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Credit Suisse punon me rregullatorët ndërkombëtare për të siguruar që është në linjë me sanksionet, përfshirë ato ruse”-deklaroi një zëdhënës i bankës, pa specifikuar se kush janë zotëruesit e këtyre parave, plot 5 miliardë dollarë. Raundi i fundit i sanksioneve ndaj Rusisë ndërkohë u njoftua në prill të këtij viti nga sekretari amerikan i thesarit, Steven Mnuchin. Gjithsesi, pas takimit me Vladimir Putin, Donald Trump u shpreh se do të dëshironte marrëdhënie më të mira me Kremlinin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.