Çregjistrimi i biznesit, Tatimet: Procedurat që duhet të ndiqni, efektet dhe afatet e procesit
Ata që duan të çregjistrojnë bizneset e tyre do të duhet që para se të nisin procedurën te paguajnë më parë të gjithë detyrimet tatimore të papaguara. Kërkesa për çregjistrim paraqitet në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), sipas procedurave ligjore përkatëse. QKB-ja nga ana e saj, njofton Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të juridiksionit përkatës, për regjistrimin e hapjes së procedurës së çregjistrimit së personit fizik.
“Drejtoria Rajonale e Tatimeve të juridiksionit përkatës, brenda 10 ditëve pune nga marrja e njoftimit për fillimin e procedurave të çregjistrimit, kryen të gjithë verifikimet e duhura lidhur me situatën tatimore të tatimpaguesit person fizik që kërkon të çregjistrohet. Verifikimi përfshin të gjitha detyrimet tatimore, detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe gjobat dhe kamatëvonesat eventuale të lidhura me këto detyrime. Drejtoria Rajonale e Tatimeve, përveç verifikimit të situatës tatimore të tatimpaguesit person fizik, kur e gjykon të nevojshme, mund të ushtrojë edhe një kontroll tatimor në mjediset e personit fizik ku ai ushtron veprimtarinë e tij ekonomike. Ky kontroll nuk mund të jetë më shumë sesa 30 ditë pune” shpjegojnë Tatimet.
Nëse, nga verifikimet apo nga kontrolli në vend, rezulton se tatimpaguesi person fizik ka detyrime të papaguara, gjoba dhe kamatëvonesa, apo deklarata tatimore të paparaqitura, Drejtoria Rajonale e Tatimeve duhet të paraqesë në QKB kundërshtimin e saj me shkrim për çregjistrimin e këtij personi fizik. Në kundërshtimin e çregjistrimit të paraqitur në QKB nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve të juridiksionit, tregohet shuma e detyrimeve tatimore të papaguara. Nëse, në kundërshtimin me shkrim të paraqitur nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, nuk është prezantuar shuma e detyrimeve tatimore të papaguara tëpersonit fizik, Qendra Kombëtare e Biznesit mund të kryejë çregjistrimin e saj. Kundërshtimi nga administrata tatimore është i vlefshëm dhe kur dërgohet elektronikisht sipas protokollit elektronik të shkëmbimit të të dhënave midis QKB-së dhe administratës tatimore.
Për çdo procedurë që organi tatimor dhe QKB-ja kryejnë, sipas ligjit dhe këtij udhëzimi, që kur fillon procedura e çregjistrimit dhe deri në çregjistrimin përfundimtar, njofton në të njëjtën kohë edhe tatimpaguesin. Nëse organi tatimor nuk i përgjigjet QKB-së ose gjykatës brenda afatit, QKB-ja ose gjykata çregjistron automatikisht subjektin dhe njofton në të njëjtën ditë organintatimor dhe tatimpaguesin. Në këtë rast, përgjegjësia është e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve,drejtori i së cilës nxjerr përgjegjësinë personale të punonjësve të tatimeve dhe propozon masat përkatëse ligjore disiplinore apo penale ndaj tyre.
Për çdo çregjistrim të personave të tatueshëm, Qendra Kombëtare e Biznesit njofton Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të juridiksionit përkatës. Për çdo çregjistrim të tatimpaguesve persona fizikë, Qendra Kombëtare e Biznesit njofton Drejtorinë Rajonale të Tatimeve. Drejtoria Rajonale e Tatimeve e juridiksionit përkatës është e detyruar që, brenda ditës së nesërme të punës pas marrjes së njoftimit nga QKB për çregjistrimin e tatimpaguesit person fizik, të bëjë çregjistrimin e tij edhe nga regjistri i tatimpaguesve të administratës tatimore.
Për të gjithë periudhën pas datës së aplikimit për çregjistrim në QKB, tatimpaguesi nuk mund të ketë asnjë detyrim për deklarim, dhe për të nuk duhet të gjenerohet asnjë deklaratë tatimore.
Efektet e çregjistrimit
Pas çregjistrimit, tatimpaguesi që çregjistrohet dorëzon Çertifikatën e Regjistrimit, përkatësisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të
juridiksionit. Për periudhën para çregjistrimit, detyrimet e mundshme tatimore të papaguara, përfshirë këtu edhe çdo gjobë apo kamatëvonesë mbeten në fuqi dhe, për mbledhjen e tyre, vazhdohet të ndërmerren të gjitha masat e mbledhjes me forcë të përcaktuara në ligj
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.