Çuçi pret homologen britanike – Nënshkruhet marrëveshja e Ripranimit
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel ndërsa dy homologët kanë firmosur Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian.
Sipas njoftimit në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” nënshkrimi i marrëveshjes vjen në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.
“Marrëveshja është hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, si edhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Qëllimi, janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre. Palët do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër migracionit të parregullt, duke zgjeruar bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme”, shkruhet në njoftim.
Ministri u shpreh i gatshëm për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën policore, konkretizuar kjo me grupe të përbashkëta hetimore, si dhe e njohu me punën për reformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë besimi me qytetarët, për ta qasur atë si shërbim e jo si forcë.
Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe riafirmoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, në fusha të interesit të përbashkët, si dekurajimi i migracionit të paligjshëm, bashkëpunimi policor në funksion të luftës kundër krimit të organizuar.
Po kështu Patel shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin, që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore dhe efikasitetit të punës së saj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.