Dalin pamjet e para/Vatikani përkujton Skënderbeun – Papa Françesku, dëgjesë dedikuar figurës së Heroit Kombëtar
550 vjet pas ndarjes nga jeta të simbolit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Selia e shenjtë e Vatikanit vendosi të kujtojë këtë vit me të gjithë respektin dhe vlerësimin për popullin shqiptar. Delegacioni i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, ministra të qeverisë, sipërmarrës të suksesshëm, përfaqësues të medias si dhe familje arbëreshe u bashkuan me artistët shqiptarë me famë ndërkombëtare për të marrë pjesë në dëgjesën e Papa Françeskut dedikuar pikërisht figurës së heroit tonë kombëtar.
Eventi vazhdoi me një takim të përzemërt të shenjtërisë së tij, Papa Francesku, me secilin nga pjesëmarrësit si dhe me shkëmbime mendimesh mbi figurën e jashtëzakonshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe trashëgimisë së tij.
Dita e mrekullueshme dedikuar heroit tonë kombëtar përfundoi në mbrëmje me madhështinë e artistëve shqiptarë në teatrin “Argentina” në Romë në eventin me titull “Të bashkuar në muzikë dhe në kujtimin e Skënderbeut” të organizuar nga ambasada shqiptare pranë selisë së shenjtë. Dua Lipa, Ermal Meta dhe Inva Mula ishin disa nga emrat e mëdhenj shqiptar që e përfaqësojnë vendin tonë nëpër botë.
Hera e fundit që Vatikani kujtoi publikisht Skendërbeun ishte më 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së tij, kur Papa Pali i Gjashtë ju drejtua me një letër të hapur popullit shqiptar ku tregonte disa të vërteta të mëdha për të shkuarën dhe të ardhmen e pasardhësve të Ilirëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.