Dalja pa marrëveshje e Britanisë/Moscovici: Nuk e do askush. “Topin” e kanë britanikët
Komisioneri për çështjet ekonomike, Pierre Moscovici, tha se rreziku i Brexit pa marrëveshje është rritur në javët e fundit dhe se i takon britanikëve për t’i thënë Bashkimit Europian se si mendojnë ta kalojnë këtë barrierë.
“Bashkimi Europian është këtu dhe po pret. Bashkimi Europian është gati, por na duhet të dimë qëllimet e britanikëve dhe duhet pak qartësi nga Londra. Padyshim që dera do të jetë gjithnjë e hapur për diskutime, por i takon britanikëve që të tregojnë se ku do të shkojnë. Topin e kanë ata”, deklaroi Pierre Moscovici.
Britania pritet të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars, por deri më tani, nuk është arritur ndonjë marrëveshje për kushtet e divorcit dhe marrëdhëniet e ardhshme, ndërkohë që parlamenti refuzoi bindshëm paketën që Kryeministrja Theresa May negocioi me Brukselin.
“Askush nuk kërkon një dalje pa marrëveshje të Brexit. Parlamenti britanik nuk kërkon një dalje pa marrëveshje, qeveria britanike nuk e do dhe as Bashkimi Europian nuk synon një dalje pa marrëveshje. Na duhet të eksplorojmë të gjitha opsionet përjashtuar këtë”, tha Pierre Moscovici.
Shumë britanikë dhe biznese të Bashkimit Europian shqetësohen për ndërprerje të mëdha nëse Brexit i afron afati pa arritur një dakordësi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.