“DASH” rendit pengesat e investitorëve! Korrupsioni, prokurimet publike, monopolet janë problemet kryesore në Shqipëri
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka përditësuar raportin e klimës së biznesit për Shqipërinë dhe 164 vende të tjera të botës. Raporti merr në analizë aspekte dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, që nga ligjet e deri te sistemi bankar.
Sa i përket vendit tonë, Departamenti i shtetit vë theksin te fakti se, gjatë viteve të fundit, aspekti ligjor dhe rregullator në vendin tonë sa i përket biznesit, ka pësuar mjaftueshëm përmirësime, por se nga ana tjetër mbeten shumë sfida.
“Korrupsioni endemik vijon të minojë sundimin e ligjit si dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik. Investitorët e huaj nënvizojnë korrupsionin, sidomos në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike, si dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa prej problemeve kryesore në Shqipëri”-vijon raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në vendin tonë.
Edhe burokracia citohet në raport si një prej problemeve kryesore për investitorët e huaj në vendin tonë. “Grupet e biznesit kanë ngritur shqetësime për konkurrencën e pandershme dhe monopolet, si disa prej çështjeve kryesore që dëmtojnë klimën e biznesit në Shqipëri”-thotë më tej raporti.
Edhe tutela e dobët e konsumatorëve, apo ndërgjegjësimi i ulët i këtyre të fundit dhe të publikut, bien në sy si problematika të investitorëve. Sa i përket sistemit bankar, raporti thotë se bankat në vendin tonë kanë likuiditet të mjaftueshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.