David, i fundit i Rockefeller-ëve
David Rockefeller, bankieri dhe filantropisti nga familja legjendare, i cili kontrolloi bankën Chase Manhattan për më se një dekadë dhe pati influencë të gjerë kudo në botë duke shpërndarë frymën e kapitalizmit amerikan, u nda nga jetë të hënën në shtëpinë e tij në New York.
Banka Chase Manhattan njihej prej kohësh si banka Rockefeller, ndonëse familja nuk kishte zotëruar kurrë më shumë se 5% të aksioneve të saj.
David, si kryetar dhe shef ekzekutiv gjatë viteve 1970, e shndërroi atë në bankën e David-it, duke zgjeruar veprimet e saj ndërkombëtarisht.
Figura e tij gjithsesi, ishte më e madhe se çdo titull i mundshëm korporate. Influenca e tij ndihej në Washington dhe në kryeqytetet e huaja, në korridoret e qeverisë së New York-ut, në muzeume arti dhe në universitete të mëdha e shkolla publike.
David Rockefeller mund të jetë i fundit i një familjeje gjithmonë e më pak të dukshme që ka imponuar një figurë kaq të madhe në skenën botërore. Ai ishte një forcë drejtuese në çështjet e financave globale dhe politikës së jashtme, duke përfaqësuar interesat e SHBA dhe bankës së tij.
Madje shpesh pritej në kryeqytetet e vendeve të huaja me nderimet që i bëhen një kreu shteti.
Ai ishte nipi i fundit i gjallë i John D. Rockefeller, manjatit dhe themeluesit të Standard Oil Company në shekullin XIX, që ngriti një perandori dhe u bë miliarderi i parë në historinë e Amerikës.
David jetoi si trashëgimtar i kësaj pasurie dhe në fëmijërinë e tij, luante me patina së bashku me vëllezërit, i tërhequr nga një limuzinë në bulevardet e New York.
Ai ishte një burrë klasi dhe organizonte shpesh mbrëmje gala për klasën e ngritur të bregut lindor. Filantropia e tij ishte e jashtëzakonshme, e po ashtu edhe koleksioni i tij i artit, një muzeum i vërtetë me mbi 15 mijë vepra. Disa prej tyre kryevepra, të varura në zyrën e tij në katin e 56-të të Qendrës Rockefeller.
Në zyrën përkrah të tijës, qëndronin letrat me emrat e mbi 150 mijë njerëzve që ai kishte takuar gjatë karrierës së tij.
“Shumë pak njerëz në këtë vend kanë takuar aq lidera sa unë”, deklaronte ai në të 90-tat.
“Ai e kaloi jetën në ‘klubin’ e klasës udhëheqëse dhe ishte besnik ndaj anëtarëve të këtij klubi, pavarësisht se çfarë ata bënin”, shkruante New York Times në vitin 2002 për të. Sipas Times, Rockefeller kishte lidhje me ‘diktatorë të vendeve të pasura me naftë’, me ‘shefa të partisë sovjetike’ dhe me ‘kryesues kinezë të revolucionit kulturor’.
Presidentë si Carter dhe Nixon i ofruan atij postin e sekretarit të Thesarit, por ai rrëzoi ofertat e tyre.
Tashmë nga familja Rockefeller, vetëm një stërnip i John D. Rockefeller ka bërë emër, si guvernator dhe senator i Virxhinias Perëndimore.
Askush nga gjeneratat e reja të familjes nuk kanë mundur të arrijnë figurën e David.
“Askush nuk mund të ecë në hapat e tij”, shkruante në 1995 një mik i tij për The Times, “jo sepse nuk janë mjaftueshëm të zotë, të zgjuar, të talentuar, por sepse është një botë tjetër”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.