Debat për medikamentet – Pampuri: Nga mungesa e faktorit rrezikohen 300 pacientë. QSUT, mohon akuzat
Rreth 300 pacientë me hemofili vuajnë nga mungesa e medikamentit bazë për mpiksjen e gjakut, duke rrezikuar jetën e tyre. Në një dalje për mediat deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri ka denoncuar mungesën e faktorit 7, 8 dhe 9. Sipas Pampurit ky medikament kushton nga 120 mijë lekë deri në 200 mijë lekë, shifër kjo e papërballueshme nga pacientët. Sipas opozitës Ministria e Shëndetësisë nuk shpjegon pse QSUT nuk blen faktorë të mjaftueshëm për trajtimin normal të të sëmurëve.
“Faktorët për pacientët me hemofili mungon në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ose vjen në sasi fare të vogël, të cilat nuk arrijnë të përmbushin nevojat e pacientëve, ashtu siç ndodh me herceptinën për pacientët me kancer, e me shumë medikamente të tjera. Në këtë situatë ku luhet me jetën e të paktën 300 të sëmurëve me hemofili, Ministria e Shëndetësisë hesht dhe nuk shpjegon pse QSUT nuk blen faktorë të mjaftueshëm për trajtimin normal të të sëmurëve. Akoma më mizore është sjellja e vetë Ministres Ogerta Manastirliu, e cila injoron pa përgjigje me dhjetëra mesazhe telefonike, ku i kërkohet ndihmë nga të sëmurët me hemofili. Ata nuk mund ta blejnë dot vetë gjithmonë faktorin për jetën e tyre, sepse një i tillë kushton nga 1 milion e 200 mijë lekë në 2 milion lekë. Nëse kjo qeveri nuk do të shpenzonte për luks, ilaçi për hemofilikët nuk do të mungonte asnjëherë”, deklaroi deputetja e PD.
Ndërkohë që burime zyrtare nga QSUT bëjnë me dije se nuk ka asnjë mungesë në lidhje me mungesat e përmenduar nga opozita. Faktori 7, 8 dhe 9 është shpërndarë dhe vazhdon të shpërndahet për pacientë që kanë nevojë sipas recetave të mjekëve hematologë të QSUT-së.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.