Debate për koncesionin e metrologjisë – Presidenca: Po dyfishoni kontrollet nga privatët. Denaj: Nuk do rriten kostot për biznesin
Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese rrëzoi të martën Dekretin e Presidentit të Republikës, i cili ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin e ri “Për Metrologjinë”. Arsyet e kthimit të Ligjit u shpjeguan në Komision nga Këshilltari Ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, i cili bëri akuza të rënda. Ai tha se dhënia me koncesion e këtij shërbimi është antikushtetuese, ka qëllime abuzive dhe prek interesat e taksapaguesve shqiptarë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, hodhi poshtë akuzat e Presidencës, duke theksuar se Ligji i ri vjen si një nevojë e përshtatjes së metrologjisë në vend me standardet europiane. Ajo theksoi se koncesioni do përmirësojë jo vetëm teknologjinë e matësve nga viti 2023, por edhe fiskalizimin e tregut në vend.
Denaj pranoi paralajmërimin e Presidentit se koncesioni në mënyrë arbitrare do dyfishojë numrin e kontrolleve ndaj bizneseve, por tha se kjo nuk do të sjellë rritjen e kostove.
Ligji i ri për Metrologjinë parashikon dhënien me koncesion për 20 vite të shërbimit të instrumenteve të matjes, që aktualisht kryhet nga shteti.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.