Debate për Ligjin e Avokatisë – Gjonaj: Rrisim mbikëqyrjen, ka korrupsion. Haxhia: Cënoni pavarësinë
Projektligji për profesionin e avokatit ka ngjallur debate mes Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Kreut të Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia. Gjonaj tha gjatë prezantimit të draftit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve se ky profesion duhet të monitorohet më shumë nga Ministria, që nga dhënia e licencës, te performanca profesionale, e deri te Komiteti i Disiplinës që vlerëson shkeljet e avokatëve. Ajo nënvizoi se ka avokatë të papërgjegjshëm, dhe se një pjesë e tyre janë të përfshirë në afera korruptive.
Haxhia tha se bëhet fjalë për një profesion të lirë, pavarësia e të cilit garantohet me ligj, dhe se është e papranueshme çdo përpjekje e instancave shtetërore për të kufizuar këtë pavarësi.
Drafti për profesionin e avokatit u miratua në parim nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.