Debatet për rrugën Tiranë – Elbasan – Dervishaj: Ulja e kostos fillestare me 100 mln dollarë solli pasoja
Ulja e kostos fillestare me 100 milionë dollarë për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan solli pasoja në cilësinë e punimeve dhe vonesat për përfundimin e kësaj vepre.
Këto janë konkluzionet që vijnë nga drejtuesit e Ministrisë së Transporteve, të cilët morën të martën edhe mbështetjen e Komisionit të Ligjeve, për ratifikimin e marrëveshjes së huasë për 35 milionë dollarë shtesë nga Banka Islamike për Zhvillim, për përfundimin e një segmenti prej 4 km. Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj shpjegoi edhe shkaqet e vonesave në projekt.
Mbyllja e projekteve në infrastrukturë u kritikua edhe nga deputetët e LSI-së. Luan Rama i cilësoi këto projekte si një bilanc jo shumë pozitiv për qeverinë.
Por më kritik për marrëveshjen në fjalë ishte deputeti socialist, Pandeli Majko, i cili kërkoi vazhdimisht shpjegime nga përfaqësuesit e ekzekutivit, lidhur me kërkesën e një huaje prej 35 milionë dollarësh për 4 km rrugë.
Qeveria depozitoi në mesin e muajit mars marrëveshjen e huasë me Bankën Islamike për Zhvillim dhe votimi në seancën e ardhshme plenare pritet të jetë thjesht formal, pasi palët kanë gjetur konsensusin më herët dhe shpenzimet janë parashikuar në buxhetin e shtetit.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.