Debati në Parlamentin Europian – Mogherini: Viti 2025, perspektivë reale për integrim
Më vonë gjatë ditës, debati për strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor u zhvendos në Parlamentin Europian. Përfaqësuesja e Lartë e BE për politikën e jashtme, Federika Mogerini, përmendi edhe një herë tjetër se viti 2025 është një afat realist për integrimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në union, pavarësisht se po ecin me shpejtësi të ndryshme. Mogherini i ka bërë thirrje edhe parlamentit të japë kontributin e tij për zgjerimin e Bashkimit Europian.
“Qytetarët dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për reformat. Në vitet e fundit, komisioneri Hahn dhe unë kemi udhëtuar shpesh në këtë rajon, kemi parë reforma që janë në vazhdimësi. Njerëzit dhe liderët e Ballkanit kanë bërë zgjedhjen e tyre, ti bashkohen BE-së”. Nuk ka një afat të prerë. Procesi është i bazuar mbi meritat dhe reformat. Por besoj se viti 2025 është një perspektive reale. Ky proces është i pakthyeshëm, le ta sjellim Ballkanin në BE, jo në një periudhë të largët”.
Ndërkohë, edhe komisioneri i Bashkimit Europian për zgjerimin, Johanes Hahn, deklaroi se vendet e rajonit të Ballkanit duhet të realizojnë reformat e rëna dakord, pasi nuk mund të anëtarësohen në union pa përmbushur standardet e BE.
Njëkohësisht, kryeministri Edi Rama, ka përshëndetur deklaratat e Johannes Hahn dhe Federica Mogherini në lidhje me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
“Mirëpresim çka thuhet për Shqipërinë në strategjinë e BE. Negociatat më afër se kurrë. Pastaj gjithçka do varet nga fuqia e vrapimit tonë”, shkruan Rama në FB.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.